NJOFTIM MBI ZHVILLIMIN E SEANCËS PLENARE, 29.07.2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi më 29 korrik 2024, seancën e radhës plenare, në prani të anëtarëve të tij, përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë dhe programi OPDAT.
Në zbatim të rendit të ditës, Këshilli miratoi unanimisht tre çështjet e parashikuara, respektivisht;

  1. Miratimin e z. Gent Xholi në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
  2. Miratimin e projekt-aktit “Për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës”;
  3. Caktimin e datës 18.09.2024, e mërkurë, si datën e seancës dëgjimore në procedimin disiplinor në ngarkim të magjistratit A.B, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm *
    Në vijim, me propozim të znj. Bogdani, rendit të ditës iu shtuan edhe 3 (tre) çështje të tjera për diskutim, në lidhje me mbarimin e statusit për anëtarët e Këshillit të ardhur nga radhët e avokatisë, z. Tartar Bazaj dhe znj. Nurihan Seiti; zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj si dhe caktimi me short për 2 (dy) anëtarë të Komisionit të Posaçëm Ad Hoc për ngritjen në detyrë dhe verifikimin e kandidatëve prokurorë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
    Me propozim të Komisionit të Administrimit të Buxhetit, Këshilli miratoi unanimisht për mbarimin e statusit të anëtareve z. Tartar Bazaj dhe znj. Nurihan Seiti. Ndërkohë, seancës iu bashkuan edhe dy anëtarët e rinj, z. Erind Gërmenji dhe z. Erind Mërkuri, ku me propozimin e znj. Ledina Riza, u miratua caktimi i z. Erind Mërkuri në Komisionin e Vlerësimit Etik dhe Profesional dhe z. Erind Gërmenji në Komisionin e Disiplinës.
    Lidhur me caktimin e 2 (dy) anëtarëve të Komisionit të Posaçëm Ad hoc për ngritjen në detyrë dhe verifikimin e kandidatëve prokurorë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, pas hedhjes së shortit, rezultoi se anëtarët e këtij komisioni janë z. Vatë Staka dhe znj. Arta Mandro.
    Në përfundim të seancës, u diskutua edhe mbi përzgjedhjen e një anëtari përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për Qendrën e Teknologjisë dhe Informacionit në sistemin e drejtësisë. Këshilli vendosi unanimisht për të zgjedhur kryetaren, znj. Mirela Bogdani.