NJOFTIM PËR MEDIA MBI ZHVILLIMIN E SEANCËS PLENARE, 16.08.2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot përmes platformës Zoom, mbledhjen plenare në prezencë të 8 anëtarëve, përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Misioneve OPDAT dhe EU4 JUSTICE dhe medias.
Në zbatim të rendit të ditës, bazuar në axhendën e publikuar paraprakisht, Këshilli diskutoi mbi projekt-vendimin në lidhje me ankimin e prokurorit B.S. kundër vendimit të drejtuesit të Prokurorisë, për zëvendësimin nga drejtimi i çështjes.
Pasi u njoh edhe me relacionin e këtij projekt-vendimi, Këshilli vendosi unanimisht të pranojë ankimin e prokurorit B.S, duke e cilësuar atë të bazuar në ligj si dhe të shfuqizojë vendimin e drejtuesit të Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm *** për zëvendësimin e prokurorit B.S nga drejtimi i hetimit.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli diskutoi jashtë rendit të ditës, mbi përmbushjen e një detyrimi për përfaqësimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, me një anëtar prokuror dhe një jo-prokuror. Kjo kërkesë nga ana e Kuvendit, vjen si bashkëpunim me Këshillin, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Progres Raportit, Raportit Screening, Rezolutës së Kuvendit për thellimin e reformave etj.
Pas propozimeve të ndryshme, Këshilli vendosi të vazhdojë diskutimet mbi përzgjedhjen e dy emrave në seancën informale që do të zhvillohet ditën e hënë.