NJOFTIM PËR MEDIA MBI ZHVILLIMIN E SEANCËS DËGJIMORE, 18.09.2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 18.09.2024, seancën dëgjimore mbi procedimin disiplinor Nr.1114/3, prot. Datë 24.07.2024, në ngarkim të magjistratit A.B, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Seanca dëgjimore u zhvillua në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në prani të 9 (nëntë) anëtarëve të Këshillit, të magjistratit A.B dhe përfaqësuesit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Julian Zonja.
Në fjalën hyrëse, znj. Bogdani, pasi shpjegoi të gjitha veprimet e ndërmarra nga Komisioni Disiplinor lidhur me këtë procedurë, i dha fjalën përfaqësuesit të ILD-së, për të pasqyruar parashtrimet.
Në kërkesën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi procedim disiplinor me masën “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”, për magjistratin A.B., me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm ****, për zvarritje të pajustifikuar në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit për vendim penal të formës së prerë.
Pasi u njoh me kërkesën e ILD-së, magjistrati parashtroi shpjegimet e tij dhe më pas i’u përgjigj pyetjeve dhe komenteve nga anëtarët e Këshillit.
Në përfundim, Këshilli vendosi shtyrjen e seancës dëgjimore për marrjen e provave shtesë dhe kërkoi nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë të kryejë verifikime të mëtejshme. Seanca dëgjimore e radhës u shty në datën 17.10.2024, ditën e enjte, ora 10.00.