BINJAKËZIMI ME SHKOLLEN E MAGJISTRATURES – KLP ANGAZHOHET NE FORCIMIN E INTEGRITETIT DHE PROFESIONALIZMIT TË MAGJISTRATËVE

Shkolla e Magjistraturës prezantoi ditën e hënë, projektin e parë të binjakëzimit me homologet e saj nga Franca, Italia dhe Holanda dhe institucionet e drejtësisë në vend, i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Projekti i Binjakëzimit me disa prej institucioneve kryesore të trajnimit gjyqësor në Bashkimin Evropian, Shkollën Kombëtare Franceze të Magjistraturës, Shkollën e Lartë të Magjistraturës së Italisë dhe Qendrën e Studimeve Gjyqësore të Hollandës, synon të forcojë efikasitetin, integritetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë duke përmirësuar kapacitetet e Shkollës Shqiptare të Magjistraturës gjatë periudhës 2024-2026 në formimin fillestar dhe të vazhduar profesional. 

Në panelin e konferencës së prezantimit ishin drejtues të institucioneve të ndryshme të sistemit të Drejtësisë si drejtori i SHM-së, z. Arben Rakipi, drejtuesja e KLP-së, znj. Mirela Bogdani, drejtuesja e KLGJ-së, znj. Naureda Llagami, Ministri i Drejtësis z. Ulsi Manja si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, Ambasadorët e Francës, Italisë dhe Hollandës dhe zv/Drejtori i Shkollës Kombëtare të Magjistraturës së Francës. Gjithashtu të pranishëm në aktivitet ishin edhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë si znj. Ledina Riza dhe z. Erind Mërkuri.

Në fjalën e tij përshëndetëse ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato theksoi se konsolidimi i reformës në drejtësi dhe i rezultateve të saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë.

Ndërkohë kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, vuri theksin tek rëndësia e hartimit të kurrikulave të dedikuara vetëm për kandidatët për prokurorë dhe rolin e KLP-së në formimin e këtyre kurrikulave, të cilin e cilësoi vendimtar për të inkorporuar te prokurorët e ardhshëm standarte perëndimore dhe integritetin profesional dhe moral. Ajo nënvizoi gjithashtu se këto kurrikula duhet të kenë një qasje praktike me shembuj dhe ushtrime simuluese.

“Është e rëndësishme që ri-modelimi i kurrikulave të ketë një qasje praktike dhe ushtrime simuluese. Vetëm kështu do të mund t’u lejojmë prokurorëve të ardhshëm të përjetojnë drejtpërdrejt presionin dhe kompleksitetin e menaxhimit të çështjes, duke u mësuar si të prioritizojnë, delegojnë dhe bashkëpunojnë me organe të tjera gjyqësore. Ne të gjithë jemi përgjegjës për të siguruar që përmes programeve të trajnimit, integriteti të jetë kreyfjalë e procesit të formimit të prokurorëve të rinj. Falë edhe mbështetjes së ekspertëve evropianë gjatë këtij projekti, KLP dhe Shkolla e Magjistraturës, duhet të sigurojë zbatimin e një kurrikule dedikuar integritetit të prokurorit, të hartuar mbi bazën e modeleve të vendeve të BE-së apo SHBA-ve. Kurrikula e bazuar në raste studimore të botës reale do të theksojë rëndësinë e llogaridhënies dhe evidentimin e pasojave të korrupsionit apo sjelljes së keqe,” u shpreh ajo.

Për të ndjekur fjalën e plotë të kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, klikoni këtu.