NJOFTIM PËR MEDIA MBI ZHVILLIMIN E SEANCËS DËGJIMORE, 17.10.2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e enjte, më 17.10.2024, seancën dëgjimore mbi procedimin disiplinor Nr.1114/3, prot. Datë 24.07.2024, në ngarkim të magjistratit A.B, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Të pranishëm në seancë ishin anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, magjistrati A.B dhe përfaqësuesi nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Julian Zonja. Seanca dëgjimore u ndoq përmes platformës on-line Zoom nga programet e asistencës OPDAT dhe EU4JUSTICE, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe medias.
Gjatë seancës pararendëse, Këshilli kërkoi nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë të kryejë verifikime të mëtejshme. Në kushtet kur materialet e kërkuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, u administruan pranë Këshillit vetëm gjatë ditës së sotme, Këshilli propozoi shtyrjen e seancës me 1 orë, për t’ u njohur me aktet e dërguara.
Pasi u njoh me provat shtesë të kërkuara nga Inspektori, seanca vijoi me parashtrimin e pretendimeve nga të dyja palët.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi procedim disiplinor me masën “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”, për magjistratin A.B., me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm ****, për zvarritje të pajustifikuar në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit për vendim penal të formës së prerë. Më pas, magjistrati paraqiti shpjegimet e tij dhe i’u përgjigj pyetjeve nga anëtarët e Këshillit.
Në përfundim, Këshilli deklaroi të mbyllur fazën e shqyrtimit duke caktuar seancën e radhës për shpalljen e vendimit, më 29.10.2024, ora 10:00.