NJOFTIM PËR MEDIA MBI ZHVILLIMIN E MBLEDHJES PLENARE, 29 TETOR 2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi më 29 tetor 2024, seancën plenare, në prani të anëtarëve të Këshillit, përfaqësuesëve nga Ministria e Drejtësisë, programet e asistencës OPDAT dhe EU4JUSTICE, dhe media.

Seanca nisi me komunikimin e vendimit mbi procedimin disiplinor Nr.1114/3, prot. datë 24.07.2024, në ngarkim të magjistratit Agron Bushati, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Në përfundim të fazës së shqyrtimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të pranojë pjësërisht kërkesën e ILD-së, duke caktuar si masë disiplinore ndaj prokurorit “vërejtje publike”.

Më pas seanca ka vijuar me miratimin e caktimeve të përkohshme për një afat 3-mujor, të drejtuesëve të dy (2) zyrave të prokurorive. Respektivisht, znj. Suela Behluli, drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe z. Erion Shqarri drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, u miratua me shumicë votash, edhe caktimi i përkohshëm i drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, z. Erion Shehaj.

Në kuadër të propozimeve mbi rendin e ditës, u miratua unanimisht edhe një ndryshim në “Rregulloren për Funksionimin e Brendshëm të Veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. Këshilli miratoi një ndryshim kompetencash sa i takon komisioneve të përhershme të tij. Duke marrë në konsideratë ngarkesën e Komisionit të Vlerësimit Etik dhe Profesional, kërkesat për veprimtari jashtë funksioni për magjistratët prokurorë, do të merren në shqyrtim nga Komisioni i Planifikimit të Buxhetit, për nje periudhë 3-vjeçare.

Në përfundim të seancës, u rihodh shorti për caktimin e Këshilltarit Ligjor Prokuror, për procesin e vlerësimit të përshpejtuar, për prokurorën Aida Cakaj. Këshilltari aktual Gentjan Habazaj, deklaroi se ishte në kushte të konfliktit të interesit. Pas rishortimit, për prokurorën Aida Cakaj u caktua z. Olger Rumnici.