KLP dhe EU4JUSTICE organizojnë “Forumin e Medias”, për forcimin e standardeve të komunikimit me median dhe publikun

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në bashkëpunim me programin EU4Justice, organizoi sot “Forumin e Medias”, ku morën pjesë përfaqësues të mediave kombëtare. Në aktivitet ishin të pranishëm znj.Mirela Bogdani, z. Erind Mërkuri, z. Erion Fejzullah dhe z. Erind Gërmenji, si dhe ekspertët ndërkombëtarë të atashuar pranë projektit EU4Justice, z. Arturo Valdes Trapote, z. Eugenio Turco dhe z. Giulio Adilardi.

Në fjalën e saj përshëndetëse znj.Bogdani, theksoi angazhimin e Këshillit për të forcuar besimin e publikut përmes komunikimit të përgjegjshëm dhe transparent.

“Objektivi kryesor i Këshillit është ndërtimi i një sistemi të besueshëm, me transparencë dhe përgjegjshmëri. Ky proces kërkon kontributin tuaj, si lidhja jonë direkte me publikun, për të siguruar informacion të saktë mbi punën tonë. Edhe pse rregulloret aktuale për median mbrojnë integritetin e punës sonë, jemi të vetëdijshëm për sfidat që krijojnë në pasqyrimin mediatik. Prandaj, jemi të përkushtuar të shqyrtojmë dhe përshtatim aktet për të forcuar transparencën dhe komunikimin me publikun,” u shpreh znj. Bogdani.

Ekspertët ndërkombëtarë ndanë pikëpamje mbi standardet mediatike të rekomanduara nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e gazetarisë etike dhe të paanshme në raportimet për drejtësinë. Gazetarët e konsideruan të papërshtatshme rregulloren aktuale të KLP-së, duke theksuar nevojën për ndryshime.

Për këtë arsye, Këshilli u angazhua të reflektojë mbi rekomandimet e gazetarëve në rregulloren për komunikim. Së bashku me ekspertët ndërkombëtarë reflektuan mbi iniciativat e Këshillit për transparencë, ndërsa përfaqësuesit e medias dhanë sugjerimet e tyre për përmirësimin e këtyre politikave.

Forumi i Medias shënoi një hap të rëndësishëm nga KLP-ja, në partneritet me EU4Justice, për përmirësimin e standardeve të komunikimit në drejtësi. Të dyja palët falënderuan median për sugjerimet konstruktive dhe shprehën angazhimin maksimal për vijuar punën duke mbështetur lirinë e medias dhe integritetin e sistemit të prokurorisë.