Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e sotme seancën plenare të radhës. Të pranishëm në mbledhje ishin anëtarët e Këshillit dhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe programi OPDAT.
Këshilli miratoi unanimisht shpalljen e pozicionit vakant për drejtues për 3 (tre) prokurori të juridiksionit të përgjithshëm, respektivisht në Berat, Durrës dhe Kukës. Caktimi i drejtuesëve do të bëhet përmes procedurës së ngritjes në detyrë.
Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli miratoi në unanimitet transferimin e përkohshëm me pëlqim të prokurores Blerina Musabelliu, për një periudhë 6- mujore. Prokurorja Musabelliu u transferua nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Pasi u njoh me relacionet përkatëse, Këshilli miratoi kohëzgjatjen e qëndrimit në detyrë për 2 (dy) prokurorë, z. Bujar Sheshi dhe z. Hysni Keta. Prokurorët do të qëndrojnë në detyrë për një periudhë kohore 3- vjeçare, deri në mbushjen e moshës 70 vjeç.
Bazuar në propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli miratoi ndryshimin e vendimit “Për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës” si vijon;
- zëvendësimin e zotit Endrit Bimi me zotin Dritan Nushi për kandidatin Gerando Skreli, për periudhën e tretë të praktikës profesionale;
- zëvendësimin e zotit Dritan Nushi me zotin Endrit Bimi për kandidatin Klejdi Mullai, për periudhën e tretë të praktikës profesionale.
Në vijim, Këshilli miratoi propozimin e Komisionit Disiplinor, për përfundimin e procedimit disiplinor të filluar ndaj ish-magjistrates Elina Kombi, pa vendim përfundimtar.
Me votë unanime, u miratua edhe pezullimi i procedimit disiplinor të filluar ndaj magjistratit Lorenc Mërkuri, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. Përmes këtij vendimi u miratua edhe vijimi i shqyrtimit të procedimit disiplinor nisur nga ILD.
Gjithashtu, Këshilli miratoi shpalljen e 6 (gjashtë) vendeve të lira,në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë 4 (katër) vende dhe Elbasan 2 (dy) vende . Këto vakanca do të plotësohen përmes procedurës së transferimit me pëlqim.
Me propozim të Komisionit të Planifikimit të Buxhetit, u miratuan unanimisht 2 (dy) veprimtari jashtë funksioni (mësimdhënie), respektivisht për prokuroret Eliora Elezi dhe Enkeleda Millonai.
Në përfundim, pasi u njoh me relacioni e përgatitur nga Komisioni i Planifikimit të Buxhetit, u miratua edhe kryerja e pagesës në vlerën e pagës “bruto” fillestare të magjistratit, për periudhën 01.07.2024 – 25.07.2024. Kjo pagesë do të kryhet për magjistratët që janë caktuar në detyrën në datë 25.07.2024.