NJOFTIM PËR MEDIA, SEANCA PLENARE 26 NËNTOR 2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi më 26 nëntor një seancë plenare maratonë, e cila u përmbyll të hënën më 2 dhjetor. Të pranishëm në këto seanca ishin anëtarët e Këshillit, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe programi OPDAT.
Përgjatë këtyre seancave, Këshilli miratoi 4 (katër) raportet e para të vlerësimit etik dhe profesional, në përputhje me rekomandimet e dhëna nga progres-raporti i BE-së.Vlerësimi i punës së prokurorëve përbën një nga pikat më të rëndësishme të veprimtarisë së Këshillit.
Respektivisht, u miratuan Raportet e Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorët Elsa Miha, Blerta Hamza, Drini Pali dhe Enkeleda Hoxha. Të katër prokurorët u vlerësuan “Shkëlqyeshëm,” duke marrë pikët përkatëse si më poshtë:

  1. Elsa Miha: 392 pikë
  2. Blerta Hamza: 385 pikë
  3. Drini Pali: 387 pikë
  4. Enkeleda Hoxha: 387 pikë
    Më tej, u diskutua mbi zëvendësimin e këshilltarit përgjegjës për vlerësimin e 2 (dy) prokurorëve. Pas përfundimit të shortit, për prokurorin Françesk Ganaj u caktua Gentjan Habazaj dhe për prokurorin Elidon Hysenaj u caktua Andi Pogaçe.
    Gjithashtu, Këshilli miratoi me 7 vota pro programin që përcakton listën e prokurorëve dhe kryetarëve të prokurorive, për të cilët do të kryhet vlerësimi etik dhe profesional gjatë vitit 2025.
    Në vijim, Këshilli miratoi unanimisht “Metodologjinë e Pikëzimit për Vlerësimin Etik dhe Profesional të Prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme,” e cila do të jetë pjesë përbërëse e Rregullores për Vlerësimin Etik dhe Profesional.
    Unanimisht u miratuan edhe kërkesat e 3 (tre) prokurorëve për plotësimin e dokumentacionit për të përfituar kredi për qëllime banimi, interesat e së cilës do të financohen nga shteti. Prokurorët që do të përfitojnë financim për kredi banimi janë Oltiana Çifliku, Elsa Kareçi dhe Julian Çafka.
    Vendimet e arsyetuara, të miratuara gjatë këtyre seancave, do të publikohen në faqen zyrtare të Këshillit: www.klp.al.