KLP DHE EU4JUSTICE ORGANIZOJNË TRYEZEN E RRUMBULLAKËT ME PROKURORINË E PËRGJITHSHME

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm, përfaqësues të prokurorisë së Përgjithshme, si aktorë kyç të sistemit të prokurorisë, së bashku edhe me ekspertë ndërkombëtarë nga misioni EUIVJustice,  u mblodhën për të adresuar çështjet kryesore lidhur me pavarësinë dhe eficiencën e zyrave të prokurorisë.

Në fjalën e hyrëse Laura Liguori, Drejtuese e Programit EUIVJustice, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare për të avancuar përpjekjet e reformës në sektorin e drejtësisë në Shqipëri, si dhe nënvijëzoi rolin e iniciativave të përbashkëta për forcimin e institucioneve të drejtësisë të Shqipëri.

Eksperti italian Carmine Pirozzoli, theksoi balancën delikate që duhet ruajtur ndërmjet sigurimit të pavarësisë së prokurorëve dhe optimizimit të eficiencës organizative të zyrave të prokurorisë.

Kryetarja e KLP znj. Bogdani vuri në pah domosdoshmërinë e forcimit të dialogut institucional për të zgjidhur ngërçet e hasura mes KLP dhe Prokurorit të Përgjithshëm, në adresimin e sfidave të të dy institucioneve në ushtrim të kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Ky komunikim, i përfshirë edhe si prioritet në strategjinë 2025-2030, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të marrëdhënieve efektive ndër-institucionale, në rritjen e eficencës dhe performancës së zyrave të prokurorive; në këtë proces Prokurori i Përgjithshëm ka një rol të pazëvendësueshëm.

“Sfida më kritike për KLP është ruajtja e funksionalitetit të sistemit të prokurorisë. Gjatë viteve të fundit sistemi ka përjetuar një zbrazje të ndjeshme. Ky realitet ka diktuar nevojën për masa të jashtëzakonshme. Ndërkohë janë evidentuar dy problematika madhore: mungesa e statistikave të plota dhe një sistemi të unifikuar për menaxhimin e çështjeve. Këto mangësi kufizojnë mundësinë për të analizuar situatën aktuale dhe për të ofruar zgjidhje të mirëstrukturuara. Në këtë kontekst, kërkohet një rishikim i kuadrit legjislativ dhe forcimi i mekanizmave të bashkëpunimit mes institucioneve. Në mungesë të kompetencave të qarta për mbikëqyrjen dhe kërkimin e llogarisë mbi funksionimin e drejtuesve të prokurorive, theksohet nevoja për një dialog më të shpeshtë dhe për harmonizimin e proceseve,” u shpreh znj. Bogdani.

Një shembull konkret i bashkëpunimit është angazhimi i KLP-së dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me mbështetjen e projektit EU4Justice, për hartimin e një rregulloreje për kancelarët dhe këshilltarët ligjorë në sistemin e prokurorisë. Ky zhvillim premton përmirësim të ndjeshëm në strukturimin dhe funksionimin e zyrave të prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, duke kontribuar në kapërcimin e sfidave aktuale dhe nje njekje penale më eficente.

Gjatë fjalës së tij Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u ndal në nevojën për të forcuar komunikimin institucional mes KLP dhe institucionit që ai drejton. Ai vuri në dukje se deri tani ka pasur dy qasje të ndryshme në interpretimin e ligjit. KLP ka fokusuar përpjekjet e saj në zhvillimin individual dhe karrierën e prokurorëve, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm ka theksuar domosdoshmërinë e sigurimit të funksionalitetit të të gjitha zyrave të prokurorisë në Shqipëri.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm, që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes KLP dhe PP lidhet me marrëdhënien e tyre me drejtuesit e zyrave të prokurorive. Duke u ndalur në progresin e bërë deri tani, z. Çela përmendi se diskutimi mbi këto çështje tregon një reflektim të thellë nga ana e Këshillit dhe një përmirësim të dukshëm në dinamikën e bashkëpunimit mes institucioneve, duke vlerësuar rritjen progresive të cilësisë së këtij bashkëpunimi dhe parashtruar rëndësinë e vazhdimit të tij. “Jam i bindur se KLP ka gjetur një bashkëpunëtor të besueshëm tek Prokurori i Përgjithshëm, ashtu siç edhe une kam mbështetjen e Këshillit,” përfundoi ai.

Gjatë diskutimeve anëtarët e Këshillit dhanë perspektiva të vlefshme mbi sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen zyrat e prokurorisë, sidomos në sigurimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe mbrojtjes së pavarësisë prokuroriale. Në përmbyllje pjesëmarrësit konfirmuan angazhimin e tyre për të vazhduar përpjekjet e reformës që janë thelbësore për forcimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe u angazhuan të gjejnë mundësi konkrete ndërveprimi, duke u bazuar edhe në praktikat e mira ndërkombëtare të shteteve fqinjë, si Italia.

Ky aktivitet është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme që ofrohet përmes programit EU4Justice, i cili është i përkushtuar për avancimin e reformave në drejtësi dhe për përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.