Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e sotme, seancën plenare të radhës. Të pranishëm në sallën e mbledhjes ishin të gjithë anëtarët e Këshillit, përfaqëseus të Ministrisë së Drejtësisë, Programit OPDAT dhe Misionit EU4JUSTICE. Seanca u ndoq drejtëpërdrejtë edhe nga përfaqësuesit e medias, përmes platformës online.
Gjatë mbledhjes së sotme u paraqiten konkluzionet përfundimtare nga palët, mbi procedimin disiplinor nr. 2292/6, datë 13.12.2024 të filluar nga ILD-ja për magjistratin K.Ll. Inspektorët e ILD-së rikonfirmuan kërkesën për procedim disiplinor dhe propozimin e masës “Shkelje e rëndë”, me ulje pagese 40% për një vit. Nga ana e tij, magjistrati ripohoi se hetimi i kryer nga ILD-ja ishte joshterues, i paplotë dhe jo objektiv. Në këto kushte kërkoi rrëzimin e tij.
Pasi u njoh me konkluzionet e palëve, Këshilli njoftoi se do të shprehet me vendim më dt. 30.01.2025, ora 10.00.
Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli miratoi unanimisht caktimin e përkohshëm të prokurores Elidjana Kasa, si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe prokurores Pranvera Pustina në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në kushtet ku nuk pati asnjë kandidat për pozicionin e drejtuesit, Këshilli miratoi unanimisht mbylljen e procedurës së ngritjes në detyrë, për pozicionin e drejtuesit në Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat dhe Kukës.
Në përfundim, Këshilli diskutoi në lidhje me zgjedhjen e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjatë seancës së sotme, shprehën interesin tre anëtarët e Këshillit, të zgjedhur nga radhët e avokatisë dhe shoqërisë civile, Erind Mërkuri, Erind Gërmenji dhe Erion Fejzulla. Këshilli vendosi të hap garën e kandidimit dhe të kalojë për votim zgjedhjen e zëvendëskryetarit në seancën e ardhshme plenare.
