Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e enjte seancë plenare në prezencë të anëtarëve dhe përfaqësuesve të ftuar nga Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë, përfaqësues të medias dhe programit EU4JUSTICE ndoqën seancën online përmes platformës Zoom.
Mbledhja nisi me shpalljen e vendimit lidhur me procedimin disiplinor nr. 2292/6 datë 13.12.2024, të ardhur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndaj magjistratit Kledian Llaho, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë. Të pranishëm në sallë ishin dy përfaqësues të ILD-së ndërsa z. Llaho nuk mori pjesë.
Në seancën e sotme, Këshilli miratoi kërkesën e ILD-së për procedim disiplinor ndaj magjistratit Llaho, duke vendosur me shumicë votash masën “Vërejtje publike”. Më herët, ILD kërkoi nga Këshilli pranimin e kërkesës për procedim disiplinor dhe propozoi masën “Shkelje e rëndë”, me ulje pagese 40% për një vit.
Pas shqyrtimit të relacioneve të përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi unanimisht caktimin e përkohshëm të tre (3) prokurorëve në pozicionin e drejtuesve si më poshtë:
- Erjon Shqarri si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.
- Erjon Shehaj si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë.
- Suela Beluli si drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës.
Në përfundim, Këshilli miratoi kualifikimin e kandidatëve Suela Beluli dhe Edmond Kaloshi për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Pas shortit për zgjedhjen e relatorëve që do të kryejnë procedurën e verifikimit, u caktuan z. Erind Mërkuri për Suela Belulin dhe z. Olger Eminaj për Edmond Kaloshin.