KOORDINIMI DHE BASHKËPUNIMI NË FUSHËN E DREJTËSISË PENALE – KLP VIZITË STUDIMORE NË HAGË

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë penale, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë zhvilluan një vizitë studimore në selinë e Eurojust në Hagë si dhe Ministrinë e Drejtësisë Holandeze. Këshilli i Lartë i Prokurorisë u prit nga Presidenti i Eurojust Michael Schmid, Prokurorët Koordinues dhe Ndërlidhës, si dhe përfaqësues nga zyrat gjermane, italiane dhe spanjolle. Vizita u organizua nga Wester Ballkans Criminal Justice Project/Projekti për Drejtësinë Penale të Shteteve të Ballkanit Perëndimor, që luan një rol të rëndësishëm në koordinimin ndërmjet autoriteteve gjyqësore në rajon dhe Eurojust, për të ndjekur krimin ndër-kufitar dhe korrupsionin.

Gjatë takimeve të mbajtura më 12-13 mars, u diskutua mbi rolin e Eurojust në mbështetjen e hetimeve penale ndërkombëtare dhe përmirësimin e koordinimit midis shteteve anëtare dhe vendeve të treta, ku u theksua edhe roli i shtetit shqiptar në skuadrat e përbashkëta investigative. Një aspekt i rëndësishëm i vizitës ishte edhe roli i Prokurores Ndërlidhëse për Shqipërinë në Eurojust, znj. Fatjona Memçaj, e cila ka kontribuar në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe rritjen e mundësive për bashkëpunim në fushën e drejtësisë penale. Pjesëmarrësit diskutuan mbi mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë në proceset e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar nevojën për një balancë të drejtë midis sigurisë dhe të drejtave individuale.

Këshilli pati mundësinë të njihte nga afër gjithashtu edhe praktikat e sistemit të prokurorisë holandeze dhe organizimin e saj. Takimi me përfaqësuesit e Byrosë për Integritetin e Shërbimit të Prokurorisë (BIOM) ishte mjaft i vlefshshëm dhe shërbeu për shkëmbimin e eksperiencave mbi funksionimin e një shërbimi prokurorial të fortë dhe transparent, me theks në mbikëqyrjen dhe parandalimin e abuzimeve të magjistratëve në ushtrimin e pushtetit të tyre publik.

Vizita theksoi angazhimin e KLP-së për zhvillimin e një sistemi më të integruar dhe efikas të drejtësisë penale, duke e pozicionuar Shqipërinë si një partner të besueshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar. Në këtë kuadër, Këshilli përforcon përkushtimin e tij për rritjen e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare dhe avancimin e sistemit penal në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane.