Kërkesa për informim

Çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, si dhe personat pa shtetësi gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet.

Sipas Nenit 48, të Kushtetutës, kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.

Ndërsa, në nenin 11, të Ligjit nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” përcaktohet se, kërkesa për informim bëhet me shkrim dhe dërgohet dorazi, me postë ose me postë elektronike, duke paraqitur saktë identitetin e kërkuesit dhe nënshkrimin e tij.

Kërkesa për informim duhet të përmbajë:  

a) emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;  

b) adresën postare ose elektronike ku kërkohet të dërgohet informacioni; 

c) përshkrimin e informacionit që kërkohet; 

ç) formatin në të cilin preferohet informacioni;  

d) çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacionit të kërkuar.

Shërbimet e administratës publike janë pa pagesë. Dhënia e informacionit mund të bëhet kundrejt një tarife, të përcaktuar më parë dhe të bërë publike nga autoriteti publik në faqen e tij të internetit dhe në mjediset e pritjes së publikut. Tarifa është kostoja e riprodhimit të informacionit të kërkuar dhe, kur është rasti, e dërgimit të tij. Informacioni i kërkuar në rrugë elektronike jepet falas.